Konsumi i naftës gjatë muajit korrik ishte pranë shifrave të vitit 2020, kur qytetarët e kufizuan lëvizjen për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, shkak i kësaj krize të qarkullimit që ka ndikuar jetën e qytetarëve është makutëria e atij që Blushi e quan “kryeoligarku i naftës”, Edi Rama.
Mesazhi i Blushit bazohet në të dhënat e raportuara sot nga Monitor, në një shkrim të të cilit thuhet se “Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se përgjithësisht në këtë periudhë pritej që importet të rriteshin edhe me 2 mijë ton (rreth 3-5% më shumë), por ato kanë rënë realisht me gati 7 mijë ton”.
Mesazhi i plotë i Blushit
“Efektet rrënuese për ekonominë dhe turizmin nga çmimi marramendës i naftës. Konsumi i karburanteve, sipas të dhënave nga vetë Doganat, është tkurrur ndjeshëm në muajin korrik, duke zbritur në nivelin e vitit 2020, kur vendi vuante nga kufizimet për shkak të pandemisë. Këto janë pasojat e makutërisë së kryeoligarkut të naftës Edi Rama, me çmimet qiellore të karburantit, që vetë i kontrollon dhe po vetë i vendos, me Bordin e vjedhjes së qytetarëve. Nëse Artistit që vjedh çdo ditë me çmimin e karburanteve nuk i pëlqejnë të dhënat e Doganave, atëherë duhet të pranojë se kontrabanda e naftës, që e garanton shteti dhe prej së cilës ai është përfituesi kryesor, është në nivelin 50%”.