Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka bërë me dije se gjatë kësaj fushate, nga data 14 prill deri në datën 12 maj janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore. Për këto vepra penale, janë vënë nën hetim 88 persona.
“1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;
2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;
3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;
4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;
5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;
6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë”, njoftoi Rrumbullaku.
Rrumbullaku tha se në mbarëvajtjen e takimeve elektorale, plot 1471 të tilla, janë angazhuar 5081 punonjës policie, duke shtuar se tashmë është momenti më i rëndësishëm prandaj i bëri thirrje partitë të zbatojnë ligjin dhe qytetarët të denoncojnë çdo parregullsi.
“Në kuadër të masave të ndërmarra gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie, për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale, dhe në asnjë aktivitet elektoral, të zhvilluar në ambiente të hapura dhe të mbyllura, nuk është evidentuar asnjë incident që cenon procesin. Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.
Në përfundim, apeloi që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.
“Njëkohësisht, apeloj për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit. Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur, si dhe për mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit”, përfundoi Rrumbullaku.