Në prezantimin e programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, kryeministri Edi Rama tha se sistemi arsimor ka nevojë të reformohet.
Ai shtroi nevojën që paga e mësuesve, po ashtu, të ndryshojë, pasi sipas tij duhet të ketë nivele sipas kualifikimeve dhe meritës. Rama paralajmëroi se shumë shpejt paga për mësuesit do të arrijë mesatarisht në 950 euro.
“Mekanizmin e asaj rritjes çdo 5 vjet të pagës në bazë të vjetërsisë së punës, ne duhet ta reformojmë komplet. Duhet të bëjmë të mundur që përveç pagës uniforme, të ketë nivele të ndryshme sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Por na duhet ama një sistem i besueshëm kualifikimesh dhe trajnimesh, kreditesh.
Sot çdo mësues dhe mësuese e ka vendin e garantuar falë aftësisë së vet dhe askush nuk e lëviz dot për arsye që nuk janë të lidhura me profesionin. Ky është themeli më fillestar. Kjo nuk mjafton, sikundër as vetëm rritja e pagave… pagat së shpejti për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton dhe ndaj na duhet të reformojmë sistemin”, deklaroi Rama.