Premier League angleze është kampionati i vetëm në 5 ligat kryesore të Europës që ende nuk ka shpallur matematikisht fituesin e këtij sezoni. Kur kanë mbetur në lojë edhe dy javë për t’u zhvilluar, distanca mes Arsenalit dhe Manchester City qëndron në vetëm një pikë. Epërsi minimale, duke parë që për kampionët në fuqi të kompeticionit, është në dispozicion edhe një ndeshje më shumë për tu zhvilluar, ajo e prapambetura e javës së 34-të ndaj Tottenham Hotspur.
Skenar që prish llogaritë dhe mban ende në ankth tifozët, ndërsa konfirmon diferencat e vogla që ekzistojnë në elitën e futbollit anglez. Manchester City duket se ka një marsh më shumë në këtë moment. Erling Haaland është shpresa e madhe e Pep Guardiolës, me sulmuesin që u konfirmua golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Në fitoren 5-1 ndaj Uolves, norvegjezi u ngjit në kuotën e 25 rrjetave, teksa shënoi tripletën e dytë në karrierë brenda pjesës së parë. Haaland bëhet lojtari i tretë i ndryshëm që shënon dy tregolësha në këtë hark kohor, për tu bashkangjitur me emra si Andrew Cole dhe Michael Owen. Edhe kalendari e favorizon, pasi përveçse me Tottenham luan ndaj Fulham dhe West Ham, dy kundërshtarë që kanë garantuar qëndrimin në mesin e tabelës. Ndërkaq për Arsenalin, fati rezervon Manchester United dhe Evertonin për një sprint emocionues drejt titullit kampion.