Detaje të reja nga dosja hetimore për tre shtetasit e dyshuar agjentë që u kapën pas sulmit dhe tentativës për të hyrë në uzinën e armëve në Gramsh.
24-vjeçari rus Michail Zorin, student i kimisë në Çeki ka marrë pjesë në disa demonstrata në Rusi para se të largohej nga vendi. Ai ka deklaruar se nëna e tij është ushtarake në ushtrinë ruse.
Pas largimit ai është përndjekur nga shërbimi inteligjent rus dhe i ka deklaruar se nuk ka pse të largohet dhe se e dinin që ndodhej në Çeki dhe se kishin informacion për pjesëmarrjen në demonstrata. ‘Nuk na shpëton dot’, mësohet t’i jenë drejtuar 24-vjeçarit.
Ai ka thënë se është kontaktuar nga Shërbimet inteligjente ruse për të bërë një njohje të zonës. Konkretisht ai ka pasur detyrë që të bëjë njohjen, matjen e disa zonave, rikonjicion. Pra, ka pasur detyrë të bëjë matjen dhe fotografimin e asaj që njihet infrastruktura kritike civile në Shqipëri dhe gjendjen aktuale të tyre.
Sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete. Gjatë gjithë kohës rezulton që të ketë fjetur në çadrën e tij, në kampingje, ndërkohë ka qëndruar dhe në Tiranë në disa banesa.
Ai ka pasur vetëm 1000 dollarë që ka hyrë në Shqipëri. 600 i janë sekuestruar gjatë momentin të ndalimit ndërsa 400 të tjera thotë se i ka shpenzuar gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë. Pjesa tjetër e dëshmisë së Zorin mbahet sekrete.