Reshjet e shumta të rëna gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme në Bashkinë e Shkodrës. Sipas të dhënave, problematike është situata në rrugën e Prekalit. Ky segment rrugor është aktualisht i pakalueshëm dhe kjo për shkak se në rrugë ka pasur rrëshqitje gurësh dhe dherash.
Sipas bashkisë Shkodër, firma e cila ka për detyrë që të merret me këtë segment rrugor po merret me pastrimin e saj.
Reshje shiu ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit, por fatmirësisht nuk janë raportuar probleme. Ditën e sotme, sipas sinoptikanëve priten reshje dhe rrebeshe të mëdha.
Sipas IGJEUM, në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Ndërkohë, pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesore, veçanërisht në lumenjtë Drin-Buna dhe liqenin e Shkodrës.