Pas votimit nga Dhoma e Përfaqësuesve edhe senati amerikan ka miratuar një projekt-ligj historik që mund të ndalojë TikTok-un në Amerikë.
Ky vendim i jep kompanisë ByteDance, nëntë muaj kohë për të shitur aksionet e tij ose aplikacioni do të bllokohet në Shtetet e Bashkuara. Projektligji tani do t’i dorëzohet presidentit amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se do ta nënshkruajë atë në ligj sapo të arrijë në tryezën e tij.
Nëse SHBA është e suksesshme në detyrimin e ByteDance për të shitur TikTok, çdo marrëveshje do të kishte ende nevojë për miratim nga zyrtarët kinezë, por Pekini është zotuar të kundërshtojë çdo lëvizje të tillë. Analistët thonë se procesi mund të zgjasë vite. Masa u miratua si pjesë e një pakete prej katër projektligjesh që përfshinin gjithashtu ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe partnerët e tjerë të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor.
Frika se të dhënat për miliona amerikanë mund të bien në duart e Kinës kanë nxitur përpjekjet e Kongresit për të ndarë TikTok nga kompania me bazë në Pekin. Javën e kaluar, kompania e mediave sociale tha se projektligji do të shkelë të drejtat e fjalës së lirë të 170 milionë amerikanëve, do të shkatërrojë shtatë milionë biznese dhe do të mbyllë një platformë që kontribuon me 24 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, çdo vit.
TikTok ka thënë se ByteDance “nuk është një agjent i Kinës apo i ndonjë vendi tjetër dhe ByteDance këmbëngul se nuk është një firmë kineze, duke treguar për firmat globale të investimeve që zotërojnë 60% të saj. Shefi ekzekutiv i saj, Shou Zi Chew, tha muajin e kaluar se kompania do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet duke përfshirë ushtrimin e të drejtave të saj ligjore për të mbrojtur platformën.
Më herët disa ligjvënës amerikanë u shprehën të shqetësuar se bllokimi i TikTok-ut mund të zemërojë miliona të rinj që përdorin aplikacionin, grup votuesish ky që vlerësohet si vendimtar në zgjedhjet e nëntorit.