Në një fjalim virtual më 22 qershor në forumin vjetor të grupit BRICS, bllokut ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, Presidenti rus Vladimir Putin prezantoi një pamje të shtrembëruar të ekonomisë dhe marrëdhënieve të Rusisë me partnerët e huaj.
“Dua të theksoj se strategjia e Rusisë nuk ka ndryshuar: duke përforcuar mundësitë tona ekonomike, teknologjike dhe shkencore, ne jemi të gatshëm të punojmë hapur me të gjithë partnerët me të cilët kemi mirëbesim, bazuar në respektin e ndërsjellë të interesave të njëri-tjetrit, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe parimit të barazisë për të gjitha kombet dhe popujt”, tha zoti Putin.
Por, kjo deklaratë jep përshtypje të rreme mbi problemet ekonomike të Rusisë. Për më tepër, lufta e Presidentit rus Putin kundër Ukrainës, e dënuar nga Kombet e Bashkuara, konsiderohet gjerësisht si shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Deklarata e zotit Putin se politikat e tij kanë përforcuar ekonominë ruse dhe marrëdhëniet e vendit të tij me partnerët ndërkombëtarë është një mashtrim.
Ndërsa është i vërtetë pohimi se Rusia ka gjetur blerës të gatshëm për naftën e saj – Kina, si më e rëndësishmja – është i pamohueshëm fakti se sanksionet perëndimore kanë goditur ekonominë ruse.
Si fillim, mbi 1 mijë kompani të huaja kanë ndërprerë plotësisht ose pjesërisht veprimtarinë, ose janë larguar nga Rusia që nga fillimi i sulmit të Moskës kundër Kievit më 24 shkurt. Që nga 24 qershori, vetëm rreth 400 firma të huaja vazhdojnë aktivitetin e tyre të biznesit në vend, sipas të dhënave të përpunuara nga shkolla e menaxhimit në Universitetin “Yale”.
Sanksionet ka të ngjarë të eliminojnë fitimet e 15 viteve në ekonominë ruse, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters më 8 qershor, duke cituar analizat e fundit të Institutit të Financave Ndërkombëtare, një organizatë botërore e grupeve tregtare dhe bankave.
“Si rezultat i largimit të vazhdueshëm të kompanive, ikjes së ekspertëve rusë dhe kolapsit të eksporteve, ekonomia ruse do të tkurret 15 për qind këtë vit dhe 3 për qind më 2022”, thuhet në raport.
Disa analistë parashikojnë se megjithë blerjet e naftës nga Kina dhe India, Rusia nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhet. Helda Salemon, një studiuese e lartë në Qendrën e Hagës për Studime Strategjike në Holandë, kishte paralajmëruar në Twitter më 24 qershor se Moska ka të ngjarë të mos jetë në gjendje të paguajë për bonot evropiane, afatet e të cilave skadonin më 27 qershor:
“Për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Rusia po shkon drejt dështimit të pagesës së borxheve prej 40 miliardë dollarësh të hënën e ardhshme (27 qershor), diçka që nuk është parë që nga Revolucioni rus i vitit 1917. Kjo do ta kthejë Rusinë në një pasuri toksike për investitorët perëndimorë”, tha ajo.
Bonot evropiane jepen në monedhën amerikane, që do të thotë se Rusia duhet të kryejë pagesa mujore të interesit me dollarë. Por, në prill, Departamenti amerikan i Thesarit ndaloi Rusinë të kryente pagesat e borxhit në dollarë, një masë e cila sipas agjencisë së lajmeve Bloobmerg “synonte të detyronte Rusinë të shterronte rezervat e saj të brendshme në dollarë, ose të shfrytëzonte të hyrat e reja për kryerjen e pagesave, ose të dështonte të paguante borxhet”.
Deri në maj, sanksionet kundër Rusisë çuan në ngrirjen e gjysmës së rezervave të huaja ruse në vlerë prej 640 miliardë dollarësh.
“Banka Qendrore thotë se ka shitur edhe disa nga rezervat e saj në valuta të huaja për të mbështetur rublën, gjë që ka ngritur pikëpyetje se për sa kohë ajo mund ta shfrytëzojë arkën e saj për të paguar borxhet”, raportoi Bloomberg.
Rusia pretendon se ka paguar borxhet në rubla. Sidoqoftë, për të marrë pagesat e borxhit rus në rubla, kreditorët duhet të hapin llogari që operojnë me valutën ruse. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters “është ende e paqartë nëse investitorët e huaj, shumë prej të cilëve duhet të përballen me sanksionet e vendosura nga qeveritë e tyre, janë të gatshëm, ose edhe nëse lejohen të hapin llogari të tilla”.
Në Rusi, inflacioni është rritur shumë ndërsa pjesët e këmbimit të teknologjisë janë të pakta. Kjo ka shkaktuar një sërë problemesh, nga dëmtimet e kompjuterëve deri tek anulimi i fluturimeve. Kjo situatë ka penguar Rusinë të riparojë ose zëvendësojë disa armatime dhe pajisje të tjera ushtarake, njoftoi gazeta “Wall Street Journal”. Në shkrim thuhet se lufta “fshiu” dy vite të prodhimit të tankeve.
Sipas “Trading Economics”, faqes që merret me gjurmimin e prirjeve botërore ekonomike, norma e inflacionit të Rusisë qëndroi në 17 për qind në fund të majit, ndërsa besimi i konsumatorëve dhe biznesit kishte vlera negative.
Më 23 qershor, gazeta “Novaya Europe” – një version i riorganizuar i gazetës së pavarur të cilës qeveria ruse ia ndaloi mbulimin e luftës në Ukrainë – dha një pasqyrë të jetës së njerëzve të zakonshëm në Rusi, me një raport nga rajoni i Samarasë.
Mbi 14 për qind e popullsisë së Samarasë jetojnë nën kufirin zyrtar të varfërisë dhe 44 për qind kanë të ardhura mujore vetëm 19 mijë rubla, ose rreth 351 dollarë. Mes janarit dhe marsit të këtij viti, numri i të varfërve në Rusi u rrit me 100 mijë, krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 20.9 milionë, tha gazeta “Novaya”.
Në raport përfshihen edhe disa intervista me banorët e Samarasë, të cilët thanë se janë detyruar të heqin dorë nga shumë lloje ushqimesh dhe produkte të tjera, që tani cilësohen si artikuj luksi për shkak të rritjes së çmimeve.
Një grua vendase, Anna, tha për gazetën Novaya se ajo gjithmonë ka pëlqyer pjeshkët, por tani ajo mund të përballojë blerjen e tyre vetëm një herë në muaj, ditën kur merr pagën.
“Vitin e kaluar pjeshkët kushtonin pak më shumë se 100 rubla (1,85 dollarë), tani janë 300 rubla (5,54 dollarë) për një kilogram”, tha ajo.
Sasha, një tjetër banore e Samarasë, tha se është zhdukur djathi i saj i preferuar që vjen nga importi, dhe se nuk e përballon dot blerjen as të prodhimit vendas, pasi “një kilogram djathi vendas kushton 3 mijë rubla”. Pra, rreth 55 dollarë për gati 1 kilogram.
Por, shqetësimi më i madh është për rritjen e çmimeve të ilaçeve, thotë Anna, vajza e së cilës vuan nga diabeti dhe çmimi i insulinës është rritur me 28% që kur filloi sulmi në Ukrainë në muajin shkurt.
Deri më tani, Kina dhe India kanë ndihmuar ekonominë ruse duke rritur blerjet e naftës ruse, duke përfituar nga çmimet e ulura ndjeshëm pasi klientët evropianë filluan braktisjen e karburantit rus në formë ndëshkimi për luftën.
Në maj, Kina dhe India blenë rreth 2.4 milionë fuçi nafte krudo nga Rusia, me pothuajse 30% ulje nga çmimi i referencës në tregun global.
Blerjet nga Kina dhe India të naftës së papërnuar ruse “kanë ndihmuar në lehtësimin e trysnisë” ndaj ekonomisë ruse, ndërkohë që sabotojnë “përpjekjet evropiane dhe amerikane për të izoluar Kremlinin”, si dhe rrezikojnë “pasoja serioze diplomatike që nuk i dëshiron asnjëri vend”, raportoi më 24 qershor gazeta “The New York Times”.
Përfitimi i këtyre dy vendeve nga nafta e lirë ruse mund të jetë i përkohshëm dhe “sprova e vërtetë” e partneritetit të tyre me Rusinë “do të vijë kur sanksionet të hyjnë plotësisht në fuqi” deri në fund të këtij viti, thotë gazeta. /VOA