Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot përfundimin e aksit në jug të vendit, Kardhiq-Delvinë. Kjo rrugë e premtuar prej vitesh kushtoi 10 milionë euro dhe është e gjatë 33 km.
Ajo është bërë sot e aksesueshme për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe do të shkurtojë udhëtimin drejt bregdetit të Sarandës dhe fshatrave turistikë të Jugut.
Krahas këtij projekti, Rama foli edhe për projektet e tjera infrastrukturore që pritet të përfundojnë në muajt në vijim. Rama tha se radhën e përfundimit të projektit e ka tuneli i Llogarasë dhe Bypassi i Vlorës që pritet të hapet në datën 7 korrik.
“Tani mbaroj kjo, tjetra është Llogaraja dhe do hapim Bypassin e Vlorës. Bypassi i Vlorës hapet në datën 7 dhe pastaj fillon “Korridori Blu”, me të gjitha lotet – Murriqan, Milot, Balldren, Thumanë, Kashar, Rrrogozhinë, Lekaj, Fier”, tha Rama.