Dy shoferë kamionësh janë konfliktuar në doganën e Kapshticës e për pasojë njëri prej tyre ka plagosur me thikë shoferin tjetër.
I plagosuri Julian Todhe është dërguar në spitalin e Korçës, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes Artur Arapaj është shoqëruar në komisariat.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e përdorur. Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit që përfundoi në plagosje me thikë ishte radha për të kryer procedurën e skanerit.
“Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, shoqërohet në Polici, autori i dyshuar i ngjarjes. Sot rreth orës 15:15, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë një konflikti të çastit shtetasi A. A., 51 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin J. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Nga të dhënat paraprake, rezulton se shtetasit janë konfliktuar për radhën e procesit të skanimit, të mjeteve që drejtonin“, njofton Policia.
Raportohet se Todhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.