Charles Spencer, vëllai më i vogël i Princeshës Diana ka publikuar në rrjetin social Instagram një foto të rrallë dhe private nga fëmijëria e tij, ku shihet krah motrës së tij së bashku me nënën e tyre, të realizuar gati 60 vjet më parë.
“Nëna ime, Diana dhe unë, rreth 1967. Unë kam qenë rreth 3 vjeç, dhe Diana 5 ose 6. Më pëlqen sa i lumtur duket secili prej nesh”, shkroi Earl Spencer përkrah fotos së publikuar.
Fotoja bardhezi tregon Princeshën e ardhshme të Uellsit, me të njëjtën buzëqeshje dhe qëndrim që disa vite më vonë do të magjepste botën.
“Në këtë fazë të jetës sime, nëna ime më vuri pseudonimin “Buzz” – sepse ajo më shihte si energjinë e pafund të një blete mjaft të lumtur”, shtoi ai.
Spencer, daja e Princit William dhe Princit Harry, lindi në Londër në 1964 tre vjet pas Dianës.
“Diana dhe unë kishim dy motra më të mëdha që ishin larg në shkollë, kështu që ajo dhe unë ishim gjithmonë bashkë”, tha Spencer në një intervistë të vitit 2020 me “The Sunday Times”.