Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e Alma Arrazin dhe dy fëmijët e saj të mitur. Policia ka njoftuar se nga këqyrja paraprake e trupit të 9-vjeçares e cila u gjet e pajetë në lumin Buna, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune.
E mitura dyshohet se u vetëmbyt së bashku me të ëmën, Alma Arrazin motrën e saj 8-vjeçare dhe vëllain 2-vjeçar. Këta të fundit nuk janë gjetur ende ndërsa kërkimet nga polumbarët vazhdojnë.
Raportohet se Alma Arrazi së bashku me fëmijët e saj kishte dalë me kunatën e saj (gruan e vëllait të Ergys Arrazit) dhe kjo e fundit nuk ka kuptuar asgjë përpara se të ndodhte tragjedia. Dyshohet se Alma Arrazi kishte disa kohë që kishte mësuar se bashkëshorti i saj e tradhtonte.
Ergys Arrazi ka refuzuar të japë detaje para uniformave blu lidhur me marrëdhënien dhe akuzat e ngritura ndaj tij për shkaktim të vetëvrasjes. Ai është treguar i ftohtë dhe fjalëpak gjatë marrjes në pyetje. 31-vjeçari ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas. Ai nuk ka shfaqur asnjë ndjesi kur policia i ka dhënë lajmin se gruaja dhe fëmijët janë hedhur në lumin Bunë.
Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve dhe ka shërbyer si indicie për të kryer hetime.
Janë polumbarët e RENEA nga Tirana, shërbimet e Policisë së Shkodrës, asaj kufitare dhe vullnetare, banorë apo peshkatarë. Kërkimet janë nga shtrirë nga ura e vjetër e lumit Buna deri në Velipojë, në grykëderdhjen fundore.