Kryeministri Edi Rama ka reaguar për emisionin ‘Report’ në Rai 3 për Shqipërinë dhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Reagimi i gjatë në rrjetet sociale i Ramës, vjen si një përgjigje ndaj moderatorit Sigfrido Ranucci, i cili sipas Ramës ka vijuar me të njëjtat episode shpifjeje.
‘Të ngulmosh në gabim është djallëzore’, thotë Rama, duke iu referuar pretendimeve të moderatorit se gjithçka që publikuan është faktuar përmes përgjigjeve të Agaçit. Rama shkruan se moderatori ka vijuar me shpifjet, ndërsa thekson se sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi iu përgjigj brenda kohës së kërkuar prej tyre, por përgjigjet nuk u pasqyruan.
Më tej, Rama thotë se këto shpifje po përdoren për të sulmuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni në kurriz të Shqipërisë.
Mes rreshtave, Rama reagon edhe për akuzat ndaj të vëllait, Olsi Ramës duke thënë se janë shpifje që i kanë marrë nga Shqipëria dhe i kanë përfshirë në emision. Kryeministri thekson se po pritet fjala e drejtësisë, duke qenë se Olsi Rama ka kallëzuar Gazment Bardhin në SPAK, pas e akuzoi se është i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë.