Shiu i një viti ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Dubai, ndërsa rrugët u kthyen në lumenj dhe uji i vrullshëm përmbyti shtëpi dhe biznese. Videot kanë bërë xhiron e botës teksa pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait më i ngarkuari në botë u mbulua nga uji, ndërsa fluturimet u anuluan për shkak të erërave të forta, rrebesheve si dhe dukshmërisë së ulët.
Avionët e mëdhenj dukeshin më shumë si varka që lëviznin nëpër aeroportin e përmbytur. Më shumë se 140 milimetër shi ra gjatë vetëm 12 orëve të fundit në Dubai që sipas meteorologëve këtë sasi reshjesh zakonisht regjistron në një vit të tërë.
Disa shoferë u detyruan të braktisnin automjetet e tyre dhe rrugët dhe disa autostrada u bllokuan. Video nga mediat sociale tregoi ujin që vërshonte nëpër një qendër tregtare të madhe dhe përmbyti katet përdhes të shtëpive . Autoritetet anuluan mësimin në shumë shkolla dhe qeveria vendosi në fuqi përsëri punën në distance.
Ashtu si pjesa tjetër e Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai ka një klimë të nxehtë dhe të thatë. Si i tillë, reshjet janë të rralla dhe në shumë zona ka infrastrukturë të kufizuar si kullimi për të trajtuar ngjarjet ekstreme.
Në Omanin fqinj, në skajin lindor të Gadishullit Arabik, Komiteti Kombëtar i vendit për Menaxhimin e Emergjencave tha se të paktën 18 njerëz kanë humbur jetën nga shirat e dendur gjatë ditëve të fundit ku në mesin e të vdekurve ishin 10 nxënës të shkollës.