Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mbylli fushatën në qytetin e Elbasanit këtë të Premte. Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka lënë pa komentuar fushatën e kryeministrit Edi Rama, sipas së cilit, gjithçka nisi me tritol dhe u mbyll me arrestime.
“Ju ftoj të votoni ndryshimin me 14 maj dhe mos harroni, se të gjithë sa thashë më sipër, Edi Rama në këtë fushatë i mbuloi me tallje për qytetarët, me sharje për kundërshtarët, me tallava për gaztorët. I mbuloi me mashtrime si zakonisht. Ai e nisi këtë fushatë, siç jeni dëshmitar me tritol, e mbylli me turp, me arrestime”, tha Berisha.
Ai tha se 14 maji duhet të jetë një ditë reflektimi.
“Le t’i shndërrojmë këto 48 orë në 48 orë të reflektimit tonë, dhe le të ndalemi pastaj dhe të mendojmë për njerëzit që janë larguar nga familjet tona, nga farefisi, nga krushqitë, njerëz tanë të dashur. Shumica e tyre janë larguar nga mospasja, papunësia, pamundësia, nga dhunimet e lirive dhe të drejtave të tyre. Ju vetë e keni të qartë se si dhjetëra e mijëra shqiptarë u arrestuan për faturat e dritave si në asnjë vend tjetër”, përfundoi Berisha.