Ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar se drejtoresha e Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë, Vlora Hyseni ka zhvilluar takimin e saj të parë në krye të detyrës në Serbi. Në kushtet kur Kosova dhe Serbia janë prag tensionesh, Berisha thotë se kjo vizitë tregon se ajo është emëruar si një urë lidhëse mes kryeministrit Edi Rama dhe Aleksandar Vucic.
“Miq, mediat informojnë se Vlora Hyseni, drejtore e Shërbimit Inteligjent të Shqiperisë nisi punën me vizitën e saj të parë sekrete në Beograd dhe ky lajm deri sot nuk është përgënjeshtruar nga SHISH. Kjo vizitë e saj në Beograd për kohën që zhvillohet, por dhe background-in e shkarkimit të saj nga autoritetet e Kosovës, dëshmon se ajo u emërua në atë post si një urë lidhëse konfidenciale midis Ramës dhe sivllaut të tij Vuçiç, në bashkërendimin e veprimtarive të tyre kundër Kosovës dhe jo vetëm.
Në këtë kontekst kjo vizitë në kulmin e krizës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi flet për një bashkërendim të përpjekjeve të Ramës dhe padronit të tij kundër Kosovës, gjë që i intereson shumë këtij të fundit për shkak të krizës të rëndë politike të brendshme të Beogradit.
Por vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, po të kemi parasysh se ajo drejton Sherbimin Inteligjent të një vendi anëtarë të NATO-s është një ogur i keq për të gjithë informacionin e klasifikuar të NATO-s, i cili nëpërmjet konfidentes Hyseni mund të përfundojë në duart e padronit të Edi Ramës, Putinit të Vogël dhe nga ai, në duart e Putinit te Madh.
Kjo vizitë është një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë me shërbimet e vendeve mike të rajonit të cilat pas saj nuk do shkëmbejnë më informacione të ndjeshme me shërbimin shqiptar duke ditur se konfidentja e Ramës mund t’i dërgojë ato në Beograd. Dënoj këtë vizitë si një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës, të Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s dhe kërkoj largimin e saj të menjëhershëm nga detyra”, ka shkruar Berisha.
Vlora Hyseni ka qenë drejtoresha e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ishte shkarkuar nga ky post më 30 qershor, 2021. Më pas u emërua në krye të SHISH në Shqipëri.