Punonjësve në Australi do t’u jepet e drejta për të injoruar thirrjet e shefave të tyre jashtë orarit të punës. Ligjet e reja të propozuara nga kryeministri Antony Albanese që pritet të vihen në fuqi së shpejti janë mirëpritur nga qytetarët.
‘Mendoj se është një ide e mrekullueshme. Të gjithë duhet të relaksohemi, të gjithë duhet të fikim telefonat dhe të mos shqetësohemi nga e-mailet dhe telefonatat në mes të natës. Të dy fëmijët e mi janë gjithashtu avokatë, kështu që ata punojnë me orë të gjata dhe shpesh ata marrin mesazhe që vijnë gjatë natës. Ne nuk jemi makineri, jemi njerëz’, u shpreh një qytetare.
Qeveria australiane thotë se këto ndryshime do të mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe do të kontribuojnë në rivendosjen e një ekuilibri të shëndetshëm mes punës dhe jetës personale.
Ligje të ngjashme që u japin punonjësve të drejtën për të fikur telefonat e tyre janë tashmë në fuqi në Francë, Gjermani dhe vende të tjera në Bashkimin Evropian.