Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka dënuar sulmet e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj SPAK si dhe ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit. Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së nënvizon se do të qëndrojë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë krah shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë, theksohet ndër të tjera në reagimin e ambasadës së SHBA.
‘Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.’- shkruan në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani hodhi poshtë akuzat e Ilir Metës se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Dumani u shpreh se nuk ka pasur asnjë takim të mëparshëm me McGonigal, dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediat shqiptare. Por sërish Ilir Meta s’i ndali sulmet ndaj Dumanit, duke hedhur akuza se është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.