Shumë prej aksionerëve kryesorë rezulton se preferojnë të vazhdojnë të ruajnë kontrollin e plotë mbi ndërmarrjet, apo grupet që ata kanë krijuar e rritur në vite.
Sipas një kërkimi të mëparshëm të “Monitor” në listën e 200 sipërmarrësve më të mëdhenj sipas të ardhurave për vitin 2021, vetëm 7 kompani shqiptare, nga më të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor, kishin të paktën një aksioner më të ri sesa 32 vjeç (të lindur pas vitit 1990). Këta përbëjnë vetëm 6% të totalit të 130 sipërmarrjeve të marra në analizë, duke përjashtuar bizneset me kapital të huaj, bankat dhe shoqëritë e sigurimit.
Më të rinjtë janë të moshës 25 vjeç. Por, të gjithë këta të rinj rezultojnë, sipas dokumenteve zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) se i kanë përfituar këto aksione si trashëgimi nga prindërit, ose për shkak të lidhjeve familjare, apo të biznesit që mund të kenë pasur me kompani të tjera.
As grupmosha nga 32-42 vjeç nuk ka arritur të shkëlqejë në biznes, me vetëm 12 ndërmarrje, ose 9% e VIP-ave. Por, ndryshe nga më të rinjtë, pjesa më e madhe ia kanë dalë që të ecin me forcat e veta.
Vetëm 16% e tyre kanë përfituar aksione, për shkak të trashëgimisë apo lidhjeve familjare.
Aksionerët e moshës nën 42 vjeç, që kanë aksione në kompanitë më të mëdha me kapital shqiptar në vend, përbëjnë vetëm 15% të totalit të VIP-ave. 26% janë të grupmoshës 43 deri në 52 vjeç.
Mbizotërues tek VIP-at është mosha 53 vjeç e lart (të lindur përpara vitit 1970), që zë gati 60% të totalit të aksionerëve të kompanive VIP.
“Kastrati”, grupi më i madh në vend, me një diversifikim të shpejtë vitet e fundit, vijon të zotërohet 65% nga themeluesi i tij, Shefqet Kastrati, ndonëse djali i tij është zv.president i grupit, ndërsa aksionerët e tjerë janë të afërmit e tij.
Luigj Aliaj, drejtues në grupin “Kastrati”, thotë se edhe në botë kjo është praktika që ndiqet. Prindërit nuk nxitojnë t’ua lënë aksionet fëmijëve të tyre, nga frika se mos nxisin parazitizmin tek ata dhe nuk i motivojnë në jetë që të ecin përpara.
Ndërsa në Shqipëri ka dhe një problem tjetër. Në përgjithësi, biznesi është familjar dhe ka filluar nga zero, por kontribut kanë dhënë dhe vëllezërit, kushërinjtë apo miqtë, ndonëse në letra, pronësia figuron vetëm në një person.
Ndaj një kalim trashëgimie do të krijonte probleme dhe hatërmbetje mes disa personave që mund të kishin pretendime për të njëjtën pronësi./ Monitor