Pyetja e gazetarit Klevin Muka nga A2 CNN ka acaruar kryeministrin në konferencën e sotme për mediat.
Ai pyeti Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka nëse e kishte takuar bashkëshortin biznesmen në prani të dy punonjësve të administratës, ashtu siç sanksionohet në Kodin Etik, por në vend të Xhaçkës, mori përgjigje nga kryeministri Rama që tha se për 3 muaj do ta fuste në riedukim, për mungesën e respektit që tregoi.
Vetë Xhaçka ka nënqeshur në konferencën për mediat, ndërsa gazetari iu drejtua Ramës duke i thënë se ai thjesht po i kujtonte Kodin Etik që kishte miratuar qeveria. Kryeministri i solli si shembull rastin e gazetares së Syri Tv, që i ishte nënshtruar të njëjtës procedurë riedukimi dhe tani kishte nisur të pyeste normalisht.
REPLIKAT
Gazetari: Në 29 Prilli të këtij viti ka hyrë në fuqi kudo i ri etik që parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministret që e shkelin. Një nga pikat e këtij kodi është që ministret nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës. Po ju e keni zbatuar këtë pikë? E keni takuar burrin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik në praninë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin etik.
Edi Rama: Tani këtu përgjigjen do e jap unë. Do kalosh në riedukim më tre muajt e ardhshëm.
Gazetari: Kodi etik do zbatohet apo jo? Ju keni thënë që do të ketë masa deri në largim nga puna kur keni prezantuar kabinetin tuaj qeveritar.
Edi Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit në konferencë shtypi që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime.