Forcimi i Lekut duket se ka sjellë një rënie të fitimit për operatorët turistik me të paktën 20% vitin e kaluar, situatë të cilën bizneset po kërkojnë ta amortizojnë me rritjen e çmimit për paketat turistike.
Kryetari i sektorit të turizmit në qytetin e Durrësit, Eduart Xhepa thotë se ky shtrenjtim nuk pritet të ndikojë në punën e strukturave turistike.
Eduart Xhepa: Ka një përqindje rritje shumë të vogël që është gati e pandjeshme për paketat turistike dhe mundësitë që ofron Shqipëria, kështu që themi se jemi konkurrues në rajon, qoftë në kualitet dhe qoftë në çmim.
Vitet e fundit, Durrësi po shënon një rritje të turistëve të organizuar përmes agjencive turistike, ndërsa për këtë vit po shihet një shtim i turistëve elitarë.
Eduart Xhepa: Ka shumë dhe po shtohet akoma më shumë numri i turistëve elitarë të cilët vijnë në grupe të vogla dhe kanë shumë dëshirë që të eksplorojnë Shqipërinë.
Bregdeti i Durrësti aktualisht ofron në total 168 hotele, me 4859 dhoma dhe 11,528 shtretër, ku 80 për qind e tyre rezultojnë të prenotuar përgjatë stinës së verës.