Seanca në Gjykatën e Apelit për deputetin demokrat Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’ është shtyrë sërish. Avokati i Salianjit, Ledio Braho ka bërë kërkesë që të shtyhet seanca për arsye shëndetësore. Në këto kushte prokurori i çështjes ka kërkuar që të caktohet datë tjetër.
‘Caktoni datë tjetër, s’mund të bëhet seanca!’- tha prokurori.
Ndërkohë avokati i Geron Xhafës, Ardian Visha tha se Salianji nuk ka ardhur qëllimisht për ta shtyrë dhe kërkoi të caktohet avokat nga shteti.
‘Mungesa është e qëllimshme! Në kundërshtim me ato që deklaron jashtë seancës se po shtyhet gjyqi, kërkojmë të caktohet avokat kryesisht’- tha Ardian Visha.
Gjykata e Apeli vendosi shtyrjen e seancës për datën 8 maj në orën 10:00, duke e cilësuar si të justifikueshme mungesën e avokatit Ledio Braho.
Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.