Fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit nuk ka kaluar pa përfshirë artin dhe as artistët! Rita Ora, Alban Skenderaj, MC Kresha, Elvana Gjata, Luiza Gega, Ermal Mamaqi etj janë shfaqur me video të një formati po thuajse identik, të “gatuar nga e njëjta dorë” në mbështetje të hapur për kryebashkiakun aktual, Erion Veliaj i cili kërkon një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës. Këto video trumbetohen me të madhe nga numri një i Tiranës, si një tregues se ai gëzon një popullaritet të gjerë në mesin e artistëve, për të përçuar mes të tjera edhe mesazhin se sa shumë e vlerëson ai artin. Kjo mënyrë e të bërit politikë, ka shërbyer si një pikënisje për ndezjen e një debati publik që më së shumti më të kritikuarit e më të paragjykuarit mbeten artistët dhe jo politikani, ata që “shesin” imazhin e tyre dhe jo ai që “i blen”. Arsyeja?
Një artist përpara se të jetë i tillë, është një njeri, e për rrjedhojë ka bindjet e tij politike! Ashtu si kurse të gjithë, edhe ata janë votues që “shkundin” votën sa herë që ka zgjedhje. Mirëpo në rastin konkret kur këto artistë zgjedhin krejt papritur që të dalin hapur, pa një kontribut të mëparshëm, dhe të shprehin bindjet e tyre politike në publik, duket se nuk është e drejtë aspak për fansat e tyre. Një shkelje e kontratës me publikun, që është mësuar që në krye të herës që të të shoh në petkun e një shkrimtari, këngëtari, sportisti etj e tashmë pa pritur e pakuptuar atashohesh krah një force politike. Në një kohë kur gjatë gjithë vitit nuk janë angazhuar për X parti, pozicionimi i tyre politik gjatë periudhës së fushatës elektorale ngre pikërpyetje nëse i bën ato të besueshëm dhe bindës në elektorat. Historia ka treguar se jo, pasi nuk mund të shpjegohen ndryshe sulmet e kritikat që kanë marrë këto personazhe në profilet e tyre sociale në mbështetjen e ofruar për Veliajn në 14 maj, ku karriera e tyre profesionale është zëruar nga vetë ndjekësit e tyre!
Nisur nga kjo, lind pyetja artistët a do duhet t’i quajmë të shfrytëzuar, të vetëpërdorur apo të shitur? Rita Ora, Xhesika Berberi, Elhaida Dani & Co e kanë bërë pa para? Pse do duhet personazhe si Rita Ora që ka një famë ndërkombëtare, e që nuk voton në Shqipëri, nuk merr autobus për në punë, nuk mbetet në trafik çdo ditë, nuk sheh kantieret e ndërtimit që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, të kërkojë votën për Erion Veliajn? Apo aktori Ermal Mamaqi që jeton në një prej zonave më të shtrenjta në qytet, të flasë për lagjen e tij që e ka braktisur, se sa shumë ka ndryshuar…
A kanë marrë para? Nëse po, kjo nuk është aspak e paligjshme, lobingu apo marketingu është një praktikë e njohur në mbarë botën, por e rëndësishme është mbi të gjitha transparenca. Pra, të deklarohet burimi i këtyre shpenzimeve. Nga vijnë këto para, nga buxheti i shtetit apo sipërmarrje sa janë paguar secili artist? E thënë ndryshe për ta kuptuar edhe një brez më të ri, në instagram mund të keni parë shpesh herë në profilet e personazheve të njohura një hashtag “adv” (advertising), pra që e informon audiencën që kjo është një reklamë e bërë në këmbim të një pagese. Kjo është një marrëdhënie besimi mes personazhit dhe publikut dhe e tillë do duhet të ndodhte edhe në këtë drejtim.
A është për ideal, sepse me të vërtetë beson në programin e kandidatit që mbështet? Kjo do ishte perfektë, por pasi kanë kaluar zgjedhjet, a keni parë ndonjë artistë t’i kërkojë llogari politikanëve që u kanë treguar hapur mbështetjen e u kanë dhënë votën për t’i ngjitur në pushtet. Rasti konkret i sportistes Luiza Gega që ka dalë në mbrojtje të Erion Veliaj. Ajo sot bën stërvitjet jashtë vendit, pasi në Tiranë nuk ka një pistë që i gëzon parametrat e duhur për të bërë stërvitje një kampione. Jo pak raste kemi parë në media intervista të saj që e ngre shqetësimin, por a i ka kërkuar llogari Luiza Gega, Veliajt apo të tjerëve për këtë shërbim thelbësor që i mungon përpara se t’u japë votën? Si është raporti i tyre me të vërtetën apo me kërkesën e llogarisë? Sa nga këto “VIP-a
Shitja dhe blerja është parimisht e pranueshme, për aq kohë sa deklaron që jep një shërbim. Mirëpo, artistët e tyre çfarë shesin, artin e tyre apo imazhin…/B.K