Fushata zgjedhore ka vetëm 3 ditë që ka nisur, por pavarësisht kësaj, Edi Rama në cilësinë e kreut të socialistëve, ka shkelur premtimin e parë.
“Duhet të bëjmë një fushatë me sa më pak zhurmë, sa me shumë punë, komunikim dhe njerzillëk. Kemi vendosur të përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha të skenave popompoze dhe materialeve propagandistike. Do t’ju lutesha kryetareve të bashkisë, mundësisht jo postera që ngjiten nëpër mure në rrugët e qyteteve, dhe pastaj mbesin aty zbardhin dhe bien copa copa si lëkurë e zgjebes, ndotëse të shëmtuara”, tha Rama. Mirëpo një gjë e tillë është shkelur “me 2 këmbë” në mënyrë “ashiqare”.
Në një vëzhgim të rrugëve të Tiranës mund të vihet re se si rrugët janë mbushur me postera të PS.
Ndonëse janë zgjedhje vendore, sërish fokusi kryesor është “ai”, “i pari i vendit” dhe në posterat e kryeqytetit nuk është vendosur Erion Veliaj, si kandidati i socialistëve për kryeqytetin. Përballë ka vënë “ata”, dyshen historikë të kundërshtarëve të Ramës, Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët i cilëson si “e shkuarat” dhe veten si “e ardhmja”, ndonëse ka 10 vjet në pushtet. Fotot e tij kanë “pushtuar” qytetin, në stacione autobusësh, në trotuare apo edhe në ekranet e mëdha të vendosura në qytet.
Gjithashtu, me këto postera është shkelur dhe ligjin. Në nenin për “afishimin e materialeve propagandistike”, ndryshuar me ligjin nr. 101/2020, datë 23.7.2020 thuhet se “Të gjitha materialet propagandistike vizive që përdoren në fushatë duhet të shoqërohen me shënimin: “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…” (vijon emri i subjektit zgjedhor)”. Në posterat e Ramës, është vetëm logoja e PS, pa shënimin që e detyron ligji.