Shqipëria ka mbledhur firmat e duhura të parlamentarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të rrëzuar rezolutën e Dick Marty.
Vendimi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, në të njëjtën ditë kur ish krerët e UÇK-së po përballen në Hagë.
‘I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore. Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.’- shkruan Rama.
Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.
Sot, bazuar mbi këtë raport, vijojnë betejën në Hagë prej më shumë se 2 vitesh ish-drejtuesi i UÇK, ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sot ato deklaruan se janë të pafajshëm, e ndërsa Haga bëri me dije se nuk po gjykon UÇK, por vetëm individë të saj.