Nga selia e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama iu përgjigj deklaratave të ish-zv.kryeminsitrit, Arben Ahmetaj, i cili tha se “ai duhet të bëjë kryeministrin, jo gjykatësin”. Në përgjigjen e tij, Rama ka qenë mjaft i ashpër.
“Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama.
Kjo përgjigje e Ramës vjen pas deklaratës që Ahmetaj bëri në një studio televizive, pas akuzave që vijnë për të, si i përfshirë në mënyrë direkte në cështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.
Nga ana tjetër, është vënë re një përplasje mes tij dhe Ramës. Kjo sepse ky i fundit e ka zhveshur Ahmetajn nga çdo pozicion.
Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.