Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News24”, ka qenë e ftuar deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo e cila ka komentuar ndër të tjera edhe protestën që opozita do të zhvillojë më 7 korrik.
E pyetur nëse është krijuar një formë pakënaqësie ndaj qeverisë që ka motivuar qytetarët të dalin në shesh, Bozo tha se nuk ka asgjë të keqe me dëshirën për të protestuar pasi është një detaj i rëndësishëm i demokracisë.
“Protesta nuk ka ndonjë gjë të keqe. Është një nga anët e forta të demokracisë, se është i lirë njeriu. Jo gjithmonë është e drejtë protesta, por edhe sikur 1% të protestojnë le të dalin’, tha ajo.
Sa i përket pikave të forta dhe të dobëta të qeverisë Rama, ajo u shpreh se ishte kryeministri ai që me “trastën në krah” siguroi fondet për Rindërtimin dhe përballimin e pandemisë duke vaksinuar popullatën.
“Kjo qeverie e Partisë Socialiste për mua ka drejtuar shumë mirë. Ra tërmeti dhe jemi i vetëm shtet që merr përsipër se brenda dy vitesh se aq e kishte parashikuar, ti fusë të gjithë njerëzit në shtëpi. Është i vetmi shtet, se kemi fqinjët tanë që kanë 15 vite nuk kanë ndërtuar akoma shtëpi. Ça tregon kjo? Se është një qeveri që punon për popullin apo jo. Le të jemi të ftohtë. Erdhi pandemia, Europa nuk na dha fonde, mori kryeministri trastën siç e ka thënë edhe vetë dhe shkoi i gjeti, i mori vaksinat. Ne e përballuam shumë mirë. Shteti na i siguroi. U gjetëm të papërgatitur, jo ne por gjithë bota. Është prishur i gjithë ekuilibri i botës nga kjo luftë. Të mos preken ato shtresat që janë shumë, shumë në nevojë ai mori disa masa që nuk i ka bërë asnjë shtet tjetër”, theksoi Bozo.
Por, Bozo pati kritika për trajtimin që po i bëhet fermerëve dhe lënien në baltë të bujqësisë, duke kërkuar më shumë investime në këtë sektor jetik të ekonomisë shqiptare.
Ajo gjithashtu theksoi nevojën që administrata të jetë më e përgatitur dhe më serioze në procesin e punës, pasi sipas saj janë duke sorollatur popullin nëpër sportele pa i ofruar asnjë zgjidhje.
“Në dy drejtime. Administrata duhet të punojë shumë më mirë, se i sjellin vërdallë njerëzit kur mund të punojë më mirë. Është humbje kohe dhe shkatërrim nervash. Administrata do një qilizmë, që çdo gjë që vjen nga populli duhet t’i japi zgjidhje menjëherë ose ta orientojë. E dyta mendoj që duhet filluar, duhet bërë. Janë bërë shumë investime dhe janë bërë shumë projekte për zhvillim e sektorit më të rëndësishëm që është bujqësia. Por shohim përditë nëpër lajme që atij i teprojnë mollët dhe i hedh, dhe thotë do pres dhe pemën e mollës apo qershinë. Ministria e Bujqësisë duhet të vërë në funksion të gjitha kapacitet që kemi ne në Shqipëri. Duhet t’i tregojmë fermerëve një orientim se cili prodhim kërkohet në treg një vit më përpara. Në njëfarë mase t’i sigurojë tregun ku do ta shesë, por edhe nëse ngelet malli të krijohen punishte ku dy tre fermerë bëhen bashkë dhe ai produkt përpunohet dhe shitet më pas”, u shpreh deputetja e PS.