Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet e rajonit, që kanë pasur ngadalësimin më të lartë të ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit. Kjo, sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potencial kandidate.
Sipas raportit, rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor vazhdoi të zbutet në tremujorin e dytë të 2022. Megjithëse ngadalësimi ishte më i butë se në tremujorin e parë dhe rritja mbeti në përgjithësi e lartë. PBB-ja e rajonit u zgjerua me 4.2% me bazë vjetore, krahasuar me 4.8% në tremujorin e mëparshëm.
Ngadalësimi u shkaktua kryesisht nga një ecuri më e dobët në Shqipëri dhe Serbi. Në Shqipëri, rritja reale e PBB-së u ngadalësua në 2.2% nga 6.5% në tremujorin e mëparshëm, për shkak të tkurrjes së investimeve dhe konsumit publik. Pjesërisht kjo shpjegohet dhe nga baza e lartë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, konsumi privat dhe eksportet kanë mbetur të forta dhe kanë qenë nxitësit kryesorë të rritjes.
Në Serbi, rritja vjetore e prodhimit u ngadalësua në 3.9%, nga 4.3% në tre muajt e mëparshëm, pasi rritja e qëndrueshme në konsumin e familjeve dhe publike, si dhe kontributet më të moderuara të investimeve dhe inventarëve, u kompensuan nga kontributi negativ i eksporteve neto.
Në Kosovë, rritja reale e PBB-së u zbut në 2.1% me bazë vjetore në tremujorin e dytë të 2022, kryesisht për shkak të konsumit më të ulët të qeverisë dhe rënies së formimit bruto të kapitalit fiks, duke reflektuar tkurrjen e investimeve publike.
Në tërësi, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor u rrit me 4.2% në tremujorin e dytë të 2022, nga një normë mesatare rritjeje prej 4.8% në tre muajt e mëparshëm./Monitor