Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, nënshkruan sot aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Pas ceremonisë, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se kjo është një ditë historike.
“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive. Për Kosovën nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër, por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet”, ka thënë ajo.
Osmani është shprehur se Kosova e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së.
“Procesi nuk proces i njëtrajtshëm dhe mund të jetë afatgjatë, por ne jemi të vendosur të ja dalim me sukses. Do të bëjmë punën tonë në mënyrë që Bashkimi Evropian të ketë sa më të lehtë të bëjë pjesën e vet”, ka shtuar Osmani.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Bashkimi Evropian është i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi.
“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, ka thënë Konjufca.
Ai ka ftuar parlamentin, këshillin dhe komisionin dhe shtetet, që të demonstrojnë përkrahjen ndaj Kosovës, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese.
“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj angazhimi të gjithëve është i nevojshëm dhe përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik”, ka thënë ai.