Vijon të jetë ende aktive edhe pas dy ditëve betejë me flakët, vatra e zjarrit në pyllin me pisha në Pishporo në Fier. Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Fier, Zija Hyka përgjatë gjithë natës në terren ka qëndruar në gatishmëri një ekip i plotë zjarrfikësish për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar. Sot pranë vatrës së zjarrit ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, forca mbështetëse të bashkisë, 9 punonjës të ADZM dhe 40 forca të armatosura të repartit të Poshnjës për të neutralizuar perimetrin e zjarrit. Sipas Hykës gjatë orëve të vona të mbrëmjes është riaktivizuar edhe një vatër zjarri në Darëzezë e cila është neutralizuar falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse.
Gjatë dy ditëve beteje me flakët është kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga ajri, gjë që nuk është realizuar.