Sondazhet pas votimit në Izrael tregojnë se ish-kryeministri Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij mund të kenë fituar vende të mjaftueshme për t’u kthyer në pushtet në një qeveri nacionaliste fetare pas 3 vjet e gjysmë ngërçi politik. Ky ishte treguesi i të martës nga exit poll-et.
Këto ishin zgjedhjet e pesta kombëtare të Izraelit që nga viti 2019. Votimi ishte edhe një herë një referendum për zotin Netanyahun dhe aftësinë e tij për të shërbyer ndërsa lufton akuzat për korrupsion. Sondazhet pas votimit treguan gjithashtu partinë Sionizmi Fetar të ligjvënësit të ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir si partinë e tretë më të madhe. Zoti Ben-Gvir është pasuesi i një rabini racist, i cili u vra në vitet 1990 dhe ka premtuar një linjë të ashpër kundër palestinezëve.
Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, do të jetë në gjendje të përballet me akuzat si kryeministër, duke përmirësuar shanset e tij për të shmangur dënimin ose burgimin. Kundërshtarët e tij e shohin atë si një kërcënim të madh për institucionet demokratike të Izraelit dhe sundimin e ligjit.
“Ndërsa sondazhet pas votimit mund të tregojnë një prirje, është e rëndësishme të theksohet se ka pasur mospërputhje midis këtyre sondazheve dhe rezultateve aktuale në raundet e kaluara të zgjedhjeve”, tha Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë në Izrael, një institut i pavarur.
Por nëse rezultatet dalin të vërteta, qeveria e ardhshme “është e gatshme të propozojë një sërë reformash që do të kërkonin të politizojnë gjyqësorin dhe të dobësojnë kontrollet dhe ekuilibrat që ekzistojnë midis degëve të qeverisë dhe të shërbejnë si komponentë themelorë të demokracisë izraelite,” shtoi analisti Plesner.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se deri në orën 20:00. me orën lokale – dy orë para mbylljes së votimit – pjesëmarrja ishte 66.3%, mbi pesë pikë më e lartë se e njëjta orë në zgjedhjet e 2021 dhe më e larta në atë pikë që nga viti 1999, kur çështja kryesore ishte procesi i paqes me palestinezët./ Zëri Amerikës