Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar sërish duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një drejtuesi të ri të SPAK që do të luftojë korrupsionin.
Në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim thotë se procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet, por sipas saj, duket një drejtues që nuk ka frikë për të goditur korrupsionin.
Ndër të tjera ambasadorja thotë se SHBA do të monitorojë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një drejtuesi të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet Yuri Kim.
‘Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara’, thekson ambasadorja amerikane.