Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenca e rradhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u mor nga Rusia më 1 prill, është “absurde” dhe tregon “kolapsin e plotë” të institucionit.
Më herët të shtunën, zyrtarët ukrainas kundërshtuan ashpër presidencën e Rusisë, një mandat procedural njëmujor, duke e quajtur atë “shakaja më e keqe e 1 prillit” dhe “një shuplakë në fytyrë për komunitetin ndërkombëtar” dhe duke kujtuar se hera e fundit që Rusia mbajti presidencën ishte në shkurt 2022, kur ushtarët e saj nisën një pushtim të plotë të Ukrainës.
“Fatkeqësisht, ky është një lajm padyshim absurd dhe shkatërrues”, tha Zelenskiy në një fjalim drejtuar kombit.
Bombat ruse vranë një djalë pesë muajsh të premten, tha presidenti ukrainas.
“Në të njëjtën kohë, Rusia kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Është e vështirë të imagjinohet diçka më absurde që ilustron kolapsin e plotë të këtyre institucioneve”, tha ai.
Kremlini tha të premten se planifikon të “bëjë të gjitha detyrat” që i takojnë si kryetar.
Shtetet e Bashkuara të enjten i bënë thirrje Rusisë të “veprojë në mënyrë profesionale” kur të kryejë atë rol dhe thanë se nuk do të bllokohej.
Përveç SHBA-së dhe Rusisë, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë Britania e Madhe, Franca dhe Kina, të cilët kanë të drejtën e vetos.
Është koha për një transformim të përgjithshëm të institucioneve globale, përfshirë Këshillin e Sigurimit, tha Zelenski.
“Reforma është qartësisht e nevojshme për të parandaluar një shtet terrorist dhe çdo shtet tjetër që dëshiron të bëhet terrorist – për të shkatërruar paqen”, tha ai.
Këshilltari i presidentit ukrainas, Mihajlo Podoljak, tha se ishte “një tjetër shkelje e ligjit ndërkombëtar… Një ent që udhëheq një luftë agresive, shkel normat e së drejtës humanitare dhe ndërkombëtare, shkatërron statutet e OKB-së, mohon sigurinë bërthamore, nuk mund të udhëheqë një organ kyç botëror të sigurisë”.
Zelenski tha vitin e kaluar se Këshilli i Sigurimit duhet të reformohet ose shpërbëhet dhe e akuzoi atë se nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të parandaluar një pushtim rus.
Ai gjithashtu bëri thirrje për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit.