Propozimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të folur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar u refuzua për të dytin vit radhazi.
Zelenski u përpoq të shfaqej në programin televiziv të së dielës përmes video thirrjes pasi u shfaq në ngjarje të tjera kulturore, por kërkesa e tij u refuzua, raportoi The Guardian.
Sipas gazetës britanike, ky vendim është marrë pas publikimit të rezultateve të një sondazhi të fundit, sipas të cilit mbështetja amerikane për Ukrainën është ulur.
Vitin e kaluar, u raportua se producenti ekzekutiv i Oscars Will Packer shprehu shqetësimin nëse Zelensky lejohej të shfaqej sepse “të gjithë të prekur nga konflikti në Ukrainë janë të bardhë, ndërsa tragjeditë e mëparshme që përfshijnë njerëz me ngjyrë nuk kanë marrë të njëjtën vëmendje”.
Gjatë vitit 2022, Zelenski u shfaq me video-telefonatë gjatë ndarjes së çmimeve Grammy dhe Golden Globes, si dhe në festivale të filmit si ato në Cannes dhe Berlin, kujton Tanjug.