Supremacisti i bardhë që vrau 51 persona në dy xhami në Zelandën e Re ka apeluar vendimin kundër dënimit të tij.
Gjykata e Apelit e Zelandës së Re konfirmoi se i armatosuri Brenton Tarrant kishte paraqitur ankesën javën e kaluar, ndërsa data e seancës ende nuk është caktuar. Tarrant vrau besimtarët në dy xhamitë e ‘Christchurch’ gjatë lutjeve në mars 2019.
Ai plagosi dhjetëra të tjerë me dhe sulmin e transmetoi drejtpërdrejt në Facebook. Një vit më pas, Tarrant u deklarua fajtor për 51 akuza për vrasje, 40 akuza për tentativë vrasje dhe një akuzë për terrorizëm. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Në dokumentet e mëparshme të gjykatës, Tarrant pretendoi se ai ishte subjekt i “trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues” ndërsa mbahej për muaj të tërë në izolim, duke mos i lejuar sipas tij një gjykim të drejtë. Në daljen e parë në Gjykatë ai pretendon se e pranoi vrasjen pasi ndodhej nën presion.
Sulmet nxitën Zelandën e Re të miratonte shpejt ligje të reja që ndalonin llojet më vdekjeprurëse të armëve gjysmë automatike. Pronarët e armëve i dorëzuan më shumë se 50.000 armë policisë. Sulmet nxitën gjithashtu ndryshime në mediat sociale, pasi kompanitë e teknologjisë u përpoqën të parandalonin transmetimin e drejtpërdrejtë të sulmeve të ardhshme.