Një tjetër korrupsion në radhët e policëve është zbuluar, duke çuar në pranga 2 zyrtarë të ‘Rrugores’.
Në pranga kanë rënë Eljo Piçoku, Shefi i Seksionit për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë dhe oficeri Amarido Lika, me detyrë Trupë Shërbimi Nd/Specialist pranë Seksionit të Parandalimit dhe Sigurisë në Linjat jashtë qytetit, po në ‘Rrugoren’ e Tiranës.
Kjo sepse nga hetimet kanë rezultuar se iu merrnin para qytetarëve në këmbim që t’u kthenin patentat para afatit të pezullimit. Ato merrnin nga 500 deri në 1500 euro.
Të dy oficerët e policisë janë vënë në pranga pas një hetim 4-mujor të bërë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Me kërkesë të Prokurorisë, GJKKO ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për të dy oficerët, masa të cilat janë ekzekutuar sot nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë.