Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë 5 milionë euro në vit për të marrë 200 kriminelët më të rrezikshëm sipas një marrëveshjeje të ratifikuar këtë javë. Shuma përfshin rinovimin e burgjeve, sigurinë shtesë, punëtoritë, pajisjet e rehabilitimit dhe trajnimin e rojeve, shkruan The Telegraph.
Sipas medias britanike, do të ketë një grup të përbashkët mbikëqyrës për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve. Qeveria shqiptare do të hartojë një raport vjetor për të burgosurit dhe kushtet e tyre, ndërsa qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ruajë të drejtën për të kryer kontrolle fizike.
Mes 200 të transferuarve janë 17 të burgosur të përjetshëm, përfshirë Koci Selamaj, 36 vjeç, vrasësi i mësueses Sabina Nessa, 28 vjeç. Ai u burgos për të paktën 36 vjet për rrahjen dhe mbytjen e saj për vdekje në një park në juglindje të Londrës.
Ai ka vuajtur deri më tani vetëm dy vite burg, që do të thotë që Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë 400,000 £ për 34 vitet e mbetura të dënimit.
Sipas marrëveshjes, kriminelët shqiptarë do të lirohen një vit më herët dhe do t’u jepen grante prej 1500 £ nëse pranojnë të deportohen dhe të mos kthehen më në MB.