Duke marrë shkas nga aksidenti tragjik i ndodhur pak ditë më parë tek rreth rrotullimi i TEG, ku një 20 vjeçar po lëvizte me shpejtësi skëterrë e për pasojë humbi jetën së bashku me 2 vajzat pasagjere, nevojat e ndryshimit Kodit Rrugor u bënë emergjente. Dje, edhe me votat e opozitës, (102 vota) u miratuan në Kuvend disa ndryshime të rëndësishme, qëllimi i së cilës është të ndikojë në uljen e numrit të aksidenteve rrugore.
Më konkretisht, për 2 vitet e para nga pajisja me patentë, shoferëve u ndalohen mjete me fuqi të lartë motorike. Gjithashtu, një nga ndryshimet më të rëndësishme të Kodit Rrugor, është ai për zgjatjen e vlefshmërisë së patentave deri në 15 vite.
Akset kombëtare do të çlirohen nga prezenca e policisë, ku siguria rrugore do të mbikëqyrjet nga makinat inteligjente. Me ndryshimet e Kodit Rrugor, efektivët dhe postoblloqet e policisë nuk do të qëndrojnë në rrugët nacionale për të ndëshkuar shoferët që shkelin rregullat. Puna e tyre do të zëvendësohet me pajisje inteligjente. Në vendin tonë risi për rrugoren do të jenë makinat e reja teknologjike të cilat nuk do të pikasin vetëm shkelësit, por do të skanojnë edhe problemet e tjera, si gjobat e papaguara, e deri tek kolaudimi.
Një tjetër pikë që do të ndryshojë në Kodin Rrugor është edhe rritja e shpejtësisë në ato autostrada që plotësojnë standardet e duhura. Në favor të qytetarëve është parashikuar edhe përgjysmimi i gjobës nëse paguhet brenda afatit të caktuar. Më herët shoferët që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje. Tashmë me rregullat e reja, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje. Mirëpo, nga ana tjetër, Kodi i ri parashikon ashpërsim dhe dyfishim të masës administrative për qytetarët që u hiqet patenta.
Kjo kategori shkelësish do të paguajnë dyfish të gjobës, për të mos iu tërhequr leja e drejtimit. Një tjetër problematikë ka qenë edhe vendparkimet publike. Në këto kushte është kërkuar që 50% e parkimeve të jetë pa pagesë.