Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme po e heton ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetajn për 3 akuza, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Konkretisht Prokuroria e Posaçme po e heton rolin e ish-ministrit Arben Ahmetaj në dy procedime që tashmë janë bashkuar.
I pari procedim është për rolin e tij si ministër i financave lidhur me inceneratorin e Elbasanit, dhe procedimi i dytë është regjistruar për akuzat e pastrimit të parave, në bazë të një kallëzimi të bërë, kundër Arben Ahmetajt, për disa prona. Kujtojmë se SPAK po heton ish ministrin Arben Ahmetaj në kuadër të procedimit 277 fraksion 1. Ky procedim është një fraksion hetimor për çështjen e inceneratorëve.
Në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj ish zv kryeministrit Arben Ahmetajt. Në lidhje me pasuritë SPAK ka marrë në pyetje shumë persona mes të cilëve edhe ish bashkëshorten e Ahmetajt.
Nga ana tjetër Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme. Pak ditë më parë, Ahmetaj kundërshtoi kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së tij, si dhe banesën e ish-gruas si në shkelje të ligjit.