Xhubleta me dije bërjen e saj, si dukuri e rrallë shqiptare mbi 4000-vjeçare, tashmë janë pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit. Tradita e kësaj veshje tipike, që gratë veriore trashëguan brez pas brezi, prej ditës së sotme është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jo materiale, pas iso-polifonisë shqiptare. Veshur me elementë tipikë të kostumeve tradicionale shqiptare, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, e ka përcjellë lajmin prej Rabitit të Marokut, ku mbahej edhe mbledhja e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
“Nga kryeqendra e Marokut po ndaj me ju një lajm shumë të mirë Komiteti Ndërqeveritar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore sapo miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës dhe dije bërjes së saj si pjesë të Listës së Trashëgimisë Jo materiale, nën mbrojtjen e UNESCO-s”, shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Xhubleta” ishte e para nga dosjet e futura në proces për t’u pranuar në UNESCO, prej marsit të kaluar . Dije bërja e saj siç kanë shpjeguar specialistët, ishte në rrezik zhdukjeje , e pranimi në UNESCO, është një ‘dritë jeshile’ për më shumë investime, fushata ndërgjegjësimi dhe marrjen e masave të tjera për mbrojtjen e kësaj tradite.