Administrata Biden po inkurajon privatisht udhëheqësit e Ukrainës që të sinjalizojnë se janë të hapur për të negociuar me Rusinë, e të heqin dorë nga kushti që kanë paraqitur publikisht se do të përfshiheshin në bisedimet e paqes, vetëm nëse Presidenti Vladimir Putin largohej nga pushteti. Kjo thuhet në një artikull të botuar të shtunën nga gazeta ‘The Washington Post’.
Gazeta citonte burime anonime në dijeni të diskutimeve që thanë se kërkesa e zyrtarëve amerikanë nuk kishte për qëllim të shtynte Ukrainën drejt tryezës së negociatave, por një përpjekje e llogaritur për t’u siguruar që Kievi të vazhdojë të ruajë mbështetjen e atyre vendeve, popullata e të cilave është skeptike mbi zgjatjen me tej të luftës.
Në artikull thuhet se diskutimet janë një ilustrim i kompleksitetit të pozicionit në të cilin ndodhet administrata Biden lidhur me Ukrainën. Ndërsa zyrtarët amerikanë zotohen publikisht se do të mbështesin Kievin me shuma masive dhe “për aq kohë sa duhet”, ata gjithashtu shpresojnë për një zgjidhje të konfliktit tetë-mujor që ka dëmtuar ekonominë botërore e ka shkaktuar frikën e një lufte bërthamore.
Gazeta njoftoi se zyrtarët amerikanë ndajnë të njëjtin qëndrim me vlerësimin e homologëve të tyre ukrainas se zoti Putin nuk është për momentin serioz në lidhje me negociatat, por pranuan se bllokimi që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë bisedimeve me të, kishte krijuar shqetësim në disa pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine, ku efektet e luftës, sikurse kostot e larta të ushqimit dhe karburantit ndihen më shumë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm kur u pyet nëse artikulli ishte i saktë, ndërsa një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u përgjigj duke thënë: “Ne e kemi thënë më parë dhe do ta themi përsëri: Veprimet flasin më shumë se fjalët. Nëse Rusia është gati për negociata, ajo duhet të ndalë bombat e raketat si dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina“.
“Kremlini vazhdon të përshkallëzojë luftën. Kremlini ka demonstruar mungesë gatishmërie për t’u përfshirë seriozisht në negociata që para se të fillonte sulmin e tij në shkallë të plotë në Ukrainë“.
Zëdhënësi vuri në dukje disa nga komentet e zotit Zelensky të bëra të premten, gjatë të cilave ai shprehej; “Ne jemi të gatshëm për paqe, për një paqe të drejtë, formulën e së cilës e kemi thënë shumë herë“.
Në fjalimin e tij drejtuar popullit ukrainas të premten zoti Zelensky shtonte: “Bota e njeh pozicionin tonë. Ky është respekt për Kartën e OKB-së, për integritetin tonë territorial e respekt për popullin tonë“.
Këshilltari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, tha gjatë një vizite në Kiev të premten se mbështetja e Uashingtonit për Ukrainën do të mbetet “e patundur dhe e vendosur edhe pas zgjedhjeve për Kongresin të martën e ardhshme”./ Zëri Amerikës