Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka qenë sot shumë i qartë dhe i prerë në lidhje me barrikadat në veri të Kosovës. Ai është shprehur se barrikadat do të hiqen nga veriu i Kosovës vetëm kur Kosova të formojë Asociacionin (bashkimin) e komunave me shumicë serbe.
“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiç për gazetarët në Azerbajxhan.
Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
Sipas Vuçiçit, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm dëshiron që ta poshtërojë Serbinë.
“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiç.
Presindenti i Serbisë ka kërkuar edhe njëherë nga Kosova një shpjegim për arrestimin e ish-policit serb të Kosovës Dejan Pantiç, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij.