Lezha është tronditur nga një atentat me armë zjarri. Vritet 40-vjeçari Entjan Nikulaj, (Eno) djali i xhaxhait të Ardjan Nikulajt i cili u ekzekutua më 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 21:30 minuta të së shtunës në dalje të qytetit të Lezhës, përballë ujësjellësit.
Atentatorët nga një makinë tjetër kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj ‘Fuoristradës’ së bardhë ML të Entjan Nikulajt. 40-vjeçari është transportuar në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore por nuk ka mundur që t’ju shpëtojë plagëve të marra.
Autorët janë larguar me ‘BMW’ ngjyrë gri e cila rezulton të jetë me targa të vjedhura në Tiranë. Vetëm disa minuta pas vrasjes makina është gjetur duke u djegur në Rinas. Brenda saj është gjetur edhe arma e krimit tip kallashnikov e përdorur në atentat. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin me qëllim kapjen e autorëve.
Vrasja ndodhi gati 7 muaj pasi biznesmeni Ardian Nikuaj u ekzekutua në lokalin e tij në Shëngjin më 19 prill të këtij viti. Biznesmeni u vra si pasojë e hasmërisë 26-vjeçare mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj. Nisur nga historiku i vrasjeve mes dy fiseve, një pistë që dyshohet se ka sjellë ekzekutimin e Entjan Nikulajt është gjakmarrja.