Pas dy ditësh në arrati është vetëdorëzuar, në policinë e Kavajës, Habib Rexha, 31-vjeçari i akuzuar si vrasësi i Arian Gosës në Kavajë më 21 Maj. Rexha u dorëzua me vullnet të lirë dhe pas kërkesës së familjarëve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen Nr.1 të Kavajës pasditen e së dielës, teksa Arian Gosa ishte duke konsumuar një kafe me babanë e tij. Ky i fundit pa të birin t’i vritej përpara syve. Habib Rexha u identifikua nga policia rreth 3 orë pas krimit dhe u shpall zyrtarisht në kërkim, por arratia i zgjati shumë pak.
Ngjarja e rëndë, vjen më pak se dy muaj nga vrasja e Edmond Gosës, vëllait të Arian Gosës, i cili në fund të marsit, pas një sherri për motive banale, në një tjetër lagje të Kavajës, u konfrontua fizikisht me shtetasin Altin Rexha, vëllanë e autorit të shpallur në kërkim për ngjarjen e kësaj të diele. Sipas policisë kjo ngjarje e rëndë është bërë për shkaqe gjakmarrje, një vepër penale kjo që dënohet jo më pak se 30 vite burg deri në burgim të përjetshëm.