Arrestimi i sotëm i Leonard Dukës mund të cilësohet si një ndër arrestimet më të forta të këtij viti. Prej më shumë se 3 vitesh në kërkim ndërkombëtar, autoritetet belge kanë arritur që të vendosin në pranga 37-vjeçarin. Ai akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në vitin 2019 në Tiranë.
Arrestimi i Dukës u krye falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albania, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët e Fast Belgjikës dhe midis ZQK Interpol Tirana e zyrës homologe të Interpol Brukselit.
Sipas njoftimit të policisë, Leonard Duka fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit. Uniformat blu kanë bërë të ditur se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Leonard Duka akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.