Gjergji Mullalli është autori i vrasjes së bashkëshortes së tij, Luiza Mullalli 46 vjeç, e cila u gjet e pajetë e hedhur në kanalin e ujërave të zeza.
Sipas policisë, autori është gjetur i vdekur në një shtëpi të braktisur. Gjergji Mullalli ka hapur disa herë zjarr ndaj efektivëve dhe më pas ka vrarë veten.
“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi. Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë. Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.
Policia e shpalli në kërkim Mullallin, i cili sipas familjarëve konsumonte alkool dhe kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Çifti ishte në proces divorci dhe jetonin të ndarë.