Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur për mediat serbe mbi masakrën e ndodhur ditën e sotme në një shkollë të Beogradit ku një 14 vjeçar vrau me armë zjarri 8 bashkëmoshatarë dhe rojen e sigurisë.
Referuar asaj që Vuçiç tha, djali ka qenë gjatë gjithë kohës nën presionin e prindërve për të qenë më i miri e kur nuk ia doli, ka zgjedhur që të bëjë këtë akt monstruoz.
“Ai ishte nxënësi më i mirë dhe të gjithë e shmangnin. Kërkoi një transferim ku kishte tre shokë dhe ia doli mirë. Prindërit i kërkonin vetëm rezultate të mira në shkollë. Ai nuk ia doli mbanë as në klasën e re dhe vendosi të bënte një akt monstruoz”, tha ai, duke shtuar se nxënësi “ka qenë tre herë me të atin në poligonin e qitjes”, shtoi Vuçiç.
Ai ka theksuar se babai i sulmuesit është anëtar nderi i poligonit të qitjes.
“U gjetën 57 gëzhoja dhe gjashtë fishekë. Katër korniza me nga 18 plumba”, tha presidenti i Serbisë.
Ky reagim vjen pasi 14-vjeçari i identifikuar si Kosta.K ekzekutoi sot me armë zjarri 9 persona në një shkollë fillore “Vladislav Ribnikar”. Ai ka vrarë rojën dhe 8 nxënës të klasës.
Kosta është student ekselent dhe fitues i olimpiadës së matematikës, ndërsa më herët ishte renditur në vendin e tretë në olimpiadën e historisë.