Henrik Hoxha rikthehet në Gjykatën e Posaçme këtë herë për të dëshmuar rreth 2 atentate me 4 viktima të ndodhura në Durrës, përkatësisht Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt dhe vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia.
Për 1 orë e 30 minuta ai iu përgjigj pyetjes se Prokurorisë, teksa dëshmoi edhe për njohjen e tij me Nuredin Dumanin, të penduarin e drejtësisë.
“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedikja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjatur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armë, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka thënë ai.
Ndërkohë edhe Dumani pritet të merret në pyetje.