30 vite burg janë kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, për Xhuliano Hoxhën dhe 12 vite për Euglen Halilin. Dy të pandehurit akuzohen për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj, ngjarje të ndodhur në vitin 2020.
Mes provave kryesore të akuzës ishte dëshmia Xhuliano Hoxhës, pjesëmarrës në krime dhe tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë.
“Alibej na dha listë me emra për t’i ekzekutuar”, mësohet të ketë thënë Hoxha.
Mbi Hoxhën dhe Halilin rëndojnë akuzat për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.
Gjatë relatimit të pretencës SPAK sqaroi se emri i Euglen Halilit u zbulua nga deklaratat e një personi, ndërsa më pas vetë Halili ka rrëfyer se porosinë për të kryer të dy krimet i ka marrë nga Erjon Alibej.
Pas vrasjes se Ramazanit, Erjon Alibej u kishte lënë Halilit dhe Xhulianos ultimatum që brenda një jave të vritej edhe Regis Runaj, por këtë të fundit, duhet ta vrisnin me thikë. Sipas SPAK, Halili e ka goditur 27 herë me thikë të riun duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas është larguar nga ngjarja me ndihmën e Xhuliano Hoxhës.