Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja në lokal. Mësohet se në total numri i të plagosurve ka shkuar në 5, e ndërsa banakierja është një viktimë e pafajshme që iu morr jeta si pasojë e përplasjeve mes bandave kriminale në qytet. Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Nga sa raportohet lokali është në pronësi të Fatjon Murati i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles.
Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku u ekzekutuan 30 vjeçari Diklen Vata dhe 22-vjeçari Brilant Martinaj, kushërinj, si dhe shoku i tyre Besmir Hoxha, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.